#Kosovo On the Front Cover of Epoka e Re: Dr. Ermira Babamusta talks about Political Trust in Kosovo



Published on the Front Cover of Epoka e Re Newspaper (Prishtina, Kosovo, June 10, 2020)

DR. ERMIRA BABAMUSTA RRËFEN PËR BESIMIN POLITIK NË KOSOVË


Lulëzim ETEMAJ

Si rezultat i një studimi të thelluar shkencor 10-vjeçar, Dr. Ermira Babamusta ka botuar në fund të majit në gjuhën angleze librin “Political Trust in Kosovo” (“Besimi Politik në Kosovë”). Autorja është eksperte dhe ligjëruese me përvojë shumëvjeçare në SHBA, duke qenë pjesë e “Speakers Bureau”, byroja e folësve motivues.

Pas vetes ka një përvojë të pasur profesionale, përfshirë Departamentin e Sigurisë së Atdheut në Amerikë; AmeriCorps Vista në Nju Jork; Këshillin e Kongresit Amerikan për Udhëheqjen e Rinisë (Congressional Youth Leadership Council); Departamentin e Paqes në OKB; Administratën e Presidentit Barac Obama dhe Kongresin Amerikan në të dyja dhomat, Senatin Amerikan dhe Dhoma e Përfaqësuesve (U.S. House of Representatives).

Dr. Babamusta ishte njëherit edhe drejtoreshë e fushatës presidenciale të Presidentit të 44-të të SHBA-ve, Barack Obama.

Libri “Besimi Politik në Kosovë” është në fokusin qendror të intervistës së bërë me të për gazetën ditore “Epoka e re”.


“Epoka e re”: Zonja Babamusta, në fillim të majit keni botuar librin tuaj studimor “Besimi Politik në Kosovë” (Political Trust in Kosovo). Cilave ketegori, sociale, shkencore dhe politike mund t’u hyjë në punë ky libër dhe për çfarë?


Ermira Babamusta: Përshëndetje z. Lulëzim dhe lexuesit e gazetës së mirënjohur “Epoka e re” dhe faleminderit për këtë bashkëbisedim. Libri “Besimi Politik në Kosovë”, botuar nga NY Elite Press, është pjesë e bibliotekës së Kongresit Amerikan. Libri fillimisht është botuar në anglisht dhe është i gatshëm në formatin botim shtypi dhe Kindle në Amazon.


Libri i përket kategorisë “nonfiction” në Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Proceset Politike dhe Lidershipi.


Libri “Besimi Politik në Kosovë” është një punim shkencor 10-vjeçar që ngren pyetjen: A ndikohet besimi politik nga vendimmarrësit politik apo nga institucionet politike? Libri analizon nga ana teorike dhe pratike në nivelin makro (performanca e institucioneve) dhe mikro (përvojat individuale) debatin kulturor-institucional mbi besimin në politikën e Kosovës. Ky hulutmin bën dallim midis besimit drejt sitemit (psh. sitemi i politikës) nga besimi i politikës nacionale (si psh. qeveria, liderët, policia, gjykata, etj).


“Epoka e re”: Duke qenë se libri i kushton vëmendje periudhës para dhe pas pavarësisë së Kosovës, a ka një vazhdimësi të besimit politik, si në rrafshin nacional ashtu dhe atë ndërkombëtar, nga njëra periudhë në tjetrën, apo kemi një riformulim komplet të tij?


Ermira Babamusta: Libri sjell një hulumtim sasior me të dhëna origjinale të mbledhura në Kosovë, Amerikë dhe në Angli për të kuptuar: (1) situatën politike në Kosovë, (2) kuadrin ligjor, (3) rolin e komunitetit ndërkombëtar. Kjo është bërë për të kuptuar faktorët influencues para dhe pas pavarësisë, duke marrë vitin 2008 si pikë bazë të harkut kohor (para 2008 dhe pas 2008).


Hulutimet botërore kanë mbledhur të dhëna nga shtetet Evropiane dhe nga Perëndimi, ndërsa të dhënat në vendet demokratike të reja ose tranzionale janë të pakta. Po ashtu edhe në Kosovë për arsye të luftës dhe boshllëkut në qeverisje para pavarësisë ka mungesë të theksuar të të dhënave.


Libri sjell të dhëna të mbledhura gjatë dy vizitave të mia në Kosovë 2012-2013 me 220 pjesmarrës në anketim; dhe në vitin 2017-2018 me 40 ekspertë elitarë.


“Epoka e re”: Sipas studimit tuaj, cili në të vërtet është aktualisht besimi politik nacional i qytetarëve të Kosovës dhe cilët janë faktorët determinues të tij?


Ermira Babamusta: Punimi shkencor është dizajnuar për të hulumtuar tre dimensionet e besimit politik: (1) institucionet qeveritare, (2) institucionet ligjore, dhe (3) aktorët (ku përfshihen komuniteti ndërkombëtar, BE, OKB, NATO) në periudha të ndryshme, për të kuptuar ndryshim në popullatë ndaj besimit politik në Kosovë.


Studimi ngriti pyetjen: A keni besim në qeverinë e Kosovës? Për vitin 2018 vetëm 20% u përgjigjën po që kanë besim, dhe një numër i madh 80% thanë jo. 84% janë të mendimit të bashkimit me Shqipërinë; 85% mendojnë që Kosova mund ta qeverisi veten dhe 91% mendojë se Kosova ka nevojë për ndryshim në qeverisje.


Duke patur parasysh ndryshimet në perceptime midis grupeve kulturore, brenda dhe jashtë vendit, banorëve dhe të huajve, studimi tregon një mosbesim të theksuar nga qytetarët vendas (89.08% nuk kanë besim nga qytetarët me përkatësi kombëtare shqiptare në Kosovë) në krahasim me 62.5% e të huajve që nuk kanë besim në politikën e Kosovës. 37.5% e të huajve kanë besim dhe vetëm 10.95% e shqiptarëve që kanë besim. Kjo tregon që shqiptarët e Kosovës kanë pikë të ulëta të identitetit dhe besimit politik. Po ashtu 85% e qytetarëve të Kosovës me banim jashtë shtetit nuk kanë besim politik në Kosovë.


Studimi gjeti një lidhje pozitive midis identifikimit nacional dhe besimit politik. Ndjenjat e dobëta të krenarisë kombëtare ose lidhjes me kombin shoqërohen me besim të ulët në qeveri. Për më tepër, studimi zbulon se pakënaqësia me simbolet kombëtare të shtetit ka një ndikim negativ në identitetin kombëtar dhe e zvogëlon ndjenjën e kohezionit në shoqëri.

Sondazhi gjithashtu shtroi një pyetje tjetër: “Si identifikohet një serb nga Kosova?”, duke parashtruar këto katër zgjedhje për përgjigje: (1) Serb; (2) kosovar; (3) serbo-kosovar; (4) Tjetër (shpjegoni). Rezultatet tregojnë se shumica e serbëve të Kosovës e identifikojnë veten si “serb” (72%); ku 22.4% e identifikuan si “serb-kosovar”; 4.6% thanë “kosovar”; dhe 1% thanë “Tjetër”, duke renditur “Serb nga Kosova & Metohija”.


Sondazhi gjithashtu pyeti: “A mendoni se serbët në Veri ndjehen se janë qytetarë kosovarë?”. Me një përgjigje “po”, “jo” dhe “pjesërisht”. Rezultatet tregojnë se shumica e 59% përgjigjen “jo”; 33.3% thanë “pjesërisht” dhe vetëm 7.3% thanë “po”. Pra ekziston një shkëputje e madhe midis grupeve të pakicave etnike në Kosovë dhe identitetit kombëtar dhe etnik. Kjo shkëputje (jo unitet) shfaqet në shifrat e larta të mosbesimit në politikën e Kosovës.


“Epoka e re”: Përderisa rezultatet e studimit e nxjerrin përqindjen e besimit të qytetarëve të Kosovës në intitucionet vendore në shkallë të ultë, ndryshe qëndron puna me institucionet ndërkombëtare. Cili është shpjegimi juaj, ju lutem?

Ermira Babamusta: Rezultatet tregojnë një ndryshim të dukshëm midis besimit politik në institucionet vendore nga ato ndërkombëtare. Saktësisht, vetëm 30% kanë besim në gjykatat vendore në Kosovë, duke e krahasuar me 70% besim në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë për vitin 2018. Ndërsa shqiptarët si në vend dhe ata me vendbanim jashtë shtetit kishin të njëjtin nivel të mosbesimit në qeverinë e Kosovës. Kurse të huajt treguan një nivel më të lartë të besimit në qeverinë e Kosovës në krahasim me shqiptarët.

Edhe pse raporti i studimit tregon një nivel të ulët në qeverinë e Kosovës, studimi zbulon se Ambasada Amerikane (70%) dhe Policia e Kosovës gëzojnë besimin më të lartë. Nga institucionet e huaja, NATO mori përqindjen më të lartë të besimit politik me 84%, vijuar nga BE-ja me 77% dhe OKB-ja vetëm me 51%.

Ndryshimi i theksuar midis institucioneve vendore dhe ndërkombëtare është i ndërthurur me performancën, ose me pa/kënaqësinë ndaj performancës të institucioneve përkatëse. Mendoj se Kosova ka nevojë për një frymë të re që ecën me demokracinë, zhvillimin dhe drejtësinë, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm që Kosova luan në rajon për siguri ndërkombëtare dhe duke vazhduar miqësinë me aleatët NATO-Amerikë-Angli-Gjermani. Njëkohësisht duke fuqizuar strukturat e brendshme vendore, që Kosova të ketë një zë më të fuqishëm për të influencuar Ballkanin. Lëkundjet në qeverisje nga sezoni në sezon për interesa vetiake politike po shpalosin një demokraci të brishtë dhe të lëkundshme, gjë që reflekton dhe imazhin jo të fortë të Kosovës në botë.


“Epoka e re”: Duke qenë se librin e keni botuar në gjuhën angleze, kur mund të llogarisin ta kenë lexuesit që kanë interesim për ta lexuar në gjuhën shqipe?

Ermira Babamusta: Momentalish po merrem me përkthimin e 300 faqeve të librit nga anglishtja në shqip dhe shpresoj këto 2-3 muaj ta kem gati dhe për publikun shqiptar me botim në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.


Source:

https://www.epokaere.com/dr-ermira-babamusta-rrefen-per-besimin-politik-ne-kosove/

For media inquiries,

 contact NY Elite Press

Sign up for news and updates

from Ermira Babamusta

Find more information about our online store & policies below

© 2020 NY ELITE PRESS

  • Black Facebook Icon
  • Black Instagram Icon
  • Amazon
0