#Macedonia BonZo: Dr. Ermira Babamusta talks about her Congressional Experience and her 2 new books


Published on BonZO, Macedonia (31/05/2020)


Dr. Ermira Babamusta rrëfen për përvojën në Kongresin Amerikan dhe për dy librat e saj të rinj


Një tjetër storie suksesi nga diaspora, intervistë ekskluzive me Dr. Ermira Babamusta, një personalitet dhe figurë e njohur shqiptare që jeton dhe vepron në SHBA. Para pozitës si drejtoreshë e fushatës presidenciale për Presidentin Obama, Dr. Babamusta filloi karrierën e saj në punët e jashtme në Kongresin Amerikan. Gjithashtu, ka punuar për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, departamenti i paqes në Nju Jork.

Ermira u diplomua me doktoraturë (Ph.D.) në Shkenca Politike dhe Administrim Publik, si dhe ka fituar dy grada Master po në të njëjtat degë. Ka kryer dy programe të tjera, “Siguria e Mbrojtes Kombëtare” nga Harvardi dhe Diplomacia e OKB-së. Si dhe ka ndjekur një studim jashtë shtetit, programi i Strasburgut, “Insititucionet dhe Ligjet e BE-së” në Francë. Ermira Babamusta është fituese e disa çmimeve si, Çmimi I Artë i Presidentit Obama nga Shtëpia e Bardhë, Çmimi i Shquar Humanitar nga Kongresi Amerikan, Udhëheqësi i maxhorancës Senatori Harry Reid, Çmimi Inaugural “10 Under 10 Award,” Gruaja e Vitit, Gruaja e Kurajos, Ekselencë në Lidership, etj. Ëshhtë autorja e librit: “Besimi Politik në Kosovë: Dinamikat Kulturore dhe Institucionale,” “Udhëtimi Legjislativ i Diskriminimit në Punësim” dhe “Diplomacia dhe Shtetformimi i Kosovës.”

Si e përshkruani rrugëtimin tuaj në karrierë?


Ermira Babamusta: Rrugëtimin tim në karrierë e shikoj si parashtrim të masave që kam marrë për të arritur qëllimet që i kam caktuar vetes për jetën time. Për këtë arsye i jam dedikuar edukimit, trajnimit dhe marrjes së përvojës, që të jem një kandidate e kualifikuar në profesionin tim. Gjatë punës në OKB kur aplikova tek Departamenti i Paqes (Peacekeeping Operations) në Manhatan, drejtori që më intervistoi dhe pranoi theksoi që aplikacioni im i ra në sy sepse isha e vetmja nga të gjithë aplikantët që kisha dy mastera. Sepse shumica që aplikojnë në këtë department për bazë kanë masterin në degën “Shkenca Politike”. Ndërsa unë kam kryer dy mastera në “Shkenca Politike” dhe “Administrim Publik”. Ky vendim i imi (që mua më kushtoi 4 vite kohë) më ndihmoi që rezumeja ime të binte në sy nga të tjerët dhe rezultoi në përzgjedhjen time në OKB nga 1000 aplikantët konkurues.


Vlerësoj shumë sistemin amerikan që është shumë i drejtë dhe i barabartë, ku se cilit do i jepet një e drejtë e barabartë për ta provuar dëshirën apo zgjedhjet në karrierë. Për këtë arsye e vlerësoj dhe e dua Amerikën, sepse këtu drejtësia dhe të drejtat e njeriut funksionojnë më së miri. Së pari, me forcat e mia kam arritur sepse punoj shumë në atë që dua të realizoj. Së dyti, duke patur një platformë në Amerikë ku çdo njeri respektohet, mua s’më ka munguar vullenti për të provuar. Të tjerat ia kam lënë në dorë të Zotit, që më ka bekuar në çdo hap. Së treti, kam një familje të mrekullueshme që më shtyjnë të arrij gjithmonë më lart, duke parë potencialin dhe kontributin që mund të jap.


Vjet u akordova dhe me doktoraturën për marëdhënie të jashtme, që e bëra vetëm për dhuratë për prindërit e mi për t’i falenderuar për sakrificat e tyre.


Uroj që të rinjtë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni sot t’i kenë dyert e hapura në ambiciet që kanë si në shkollim dhe punësim.


Përvoja juaj në Kongresin Amerikan dhe mësimet që keni marrë?


Ermira Babamusta: Përvojat e mia në Kongresin Amerikan me Senatorin Tom Harkin dhe Kongresmenin Mark Kennedy kanë qenë ndër më të bukurat. Nën lidershipin dhe mentorshipin e të dy liderëve amerikanë mësova nga afër se si funksionon demokracia në strukturat qeveritare të Amerikës. I jam shumë mirënjohëse të dy kongresmenëve, bashkë me stafit për mikpritjen e tyre. M’u dha mundësia që raporti im mbi efektin e PTSD në familjet e veteranëve të botohet në shtëpinë botuese të Kongresit Amerikan “Congressional Quarterly Roll Call”. Këtë e konsideroj si një arritje të madhe.

Mësimi ishte të jesh e shkathët që t’i përshtatesh ambjentit të punës sa më mirë dhe sa më shpejt, sidomos në një kulturë pune si ajo e Kongresit ku ritmi është shumë i shpejtë, meqë përballesh me disa aspekte në të njëjtën kohë, qoftë politika e brendshme, apo e jashtme.


Si e cilësoni zhvillimin e politikave të vendeve ballkanike?


Ermira Babamusta: Shtetet Ballkanike janë jo të qëndrueshme dhe kanë përçarje në politikat e brendshme të vendit. Besoj ato duhet të kërcejnë tango me NATO-n (duke ndjekur hapin drejtues të NATO-s) për të ruajtur qëllimet e përbashkëta në paqe, siguri ndërkombëtare dhe mbrojtjen e vlerave demokratike. Si dhe të forcojnë zhvillimet demokratike brenda vendit, që problemet e tyre të mos krijojnë “hallka zinxhir” për fqinjët.


Mes tjerash, shquheni edhe si autore libri, nga buron ky frymëzim për të shkruar?


Ermira Babamusta: Këtë ndjenjë – dëshirën për të shkruar – ma ka kultivuar babai që 10 vjeç. Babai, si profesor gjuhë letërsie dhe historie, ka patur biblotekën e tij. Nga unë kërkonte të lexoja veprat e njohura shqiptare dhe botërore dhe t’i shkruaja hartim, një përmbledhje mbi çfarë lexoja dhe kuptoja. Dhe më pas e diskutonim së bashku. Kjo ka bërë që të doja botën e librit dhe shkrimit që fëmijë. Këto libra i kam ruajtur edhe sot, sepse m’i dha babi t’i marr me vete edhe në Amerikë. Dhe janë një kujtim shumë i bukur për mua, që do jenë pjesë e trashëgimisë edhe për gjeneratat e tjera në familjen time.


Më pas kam shkruar poezi. Kam botuar disa revista kulturore-diplomatike si dhe kam botuar gazetën time “Prishtina Press” (bashkë me Adem Ramadanin) si e para gazetë shqip-anglisht e botuar në Kosovë në 2008 pas pavarësisë, që tani nuk është më aktive.

Mua më pëlqejnë shkrimet e llojit biografik, që shpalos rrugëtimin e një artisti ose të një të njeriu në realizimin e ëndërrave që ka, pavarësisht nivelit të suksesit të arritur. Për mua sukses është të krijosh një ide apo koncept origjinal dhe t’a provosh se si ia del. Kështu krijon identiteni tënd dhe mund të lesh gjurmë në fushën që i takon, ose të paktën le gjurmë në ecurinë dhe pjekurinë e jetës tënde. Kam promovuar dhe suportuar gjithmonë vlerat artistike dhe kulturore duke ndjekur këtë mendim.


Ndoshta shoqëria thekson famën, ndërsa për mua fama është kur ke zhvillim intelektual dhe aftësi të kreativitetit tend (që për mua përbën gjeniun), gjë që sa vjet e dekurajohet sot. Lind pyetja a lind njeriu gjeni apo bëhet i tillë?


Struktura ime e shkrimit më pas më është zhvilluar edhe nga trajnimet apo klasat gjatë studimit në Sh.B.A., që të përgatitin për temën e masterit dhe doktoraturës. Kam lexuar disa tema master në shqip dhe jam alamuar nga niveli i dobët i mos ditjes së struktures së duhur, referimit apo gabime kapitale si vendosja “uikipedia” apo “kërkim në google” si resurce akademike! Kam në plan të përgadis një libër në këtë drejtim, që do të ndihmojë studentët kur shkruajnë temën për master dhe doktoraturë.


Libri “Besimi Politik në Kosovë” (Political Trust in Kosovo), pse e keni titulluar pikërisht kështu dhe çfarë mesazhi përcjell?


Ermira Babamusta: Ky libër “Political Trust in Kosovo” vjen si rezultat i një studimi shkencor 10 vjeçar, që e ka fillën që kur bëra masterin e dytë në Nju Jork (punim tjetër që do botohet si libri im i tretë “Diplomacy and Nation Building in Kosovo”. Pasi mbarimit të masterit në 2008, përfundimi i temës ishte studim i mëtejshëm në një temë doktorature, të cilën e realizova.

Libri “Besimi politik në Kosovë” botuar nga NY Elite Press, studion faktorët që ndikojnë besimin politik në Kosovë, duke trajtuar disa organe ligjore, të rendit, qeverisjes, institucione të brendshme dhe jashtme. Libri ngre argumentin që nivel i ulët i besimit politik sjell një rrezik për demokracinë në vend. Një nivel i duhur i besueshmërisë është i nevojshëm për (1) legjitimitet, (2) drejtësi dhe (3) qeverisje demokratike.

Mesazhi përcjellës është përmbledhur në kapitullin përfundimtar me rekomandimet që jap, duke përfshirë: (1) legjitimiteti i institucioneve, (2) siguria, (3) pavarësia e gjykatave, (4) angazhimi i diasporës, (5) forcimi i identitetit, (ndjenja e të qenurit një dhe krenar për identitetin), (6) diplomacia kulturorem, (7) lufta kundër korrupsionit, etj.

Libri ofron statistika origjinale sasiore që i kam grumbulluar vetë në Kosovë në dy misione me elitën e politikës dhe ekspertët në fushë. Libri është në anglisht (së shpejti në shqip në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni) dhe ndodhet në Amazon si botim shtypi, Kindle dhe mund të shkarkohet si eBook www.nyelitepress.com.


Bazuar në librin tuaj “Udhëtimi Ligjor i Diskriminimit në Punësim” (The Legislative Journey of Employment Discrimination), cilat janë format më të shpeshta diskriminuese të kësaj kategorie?


Ermira Babamusta: Libri “The Legislative Journey of Employment Discrimination” ngre pyetjen: “Në çfarë mase ndikojnë veprimet e qeverisë në diskriminimin e punësimit?” Ky libër është një studim shkencor dhe ka një statistikë të madhe krahasimi të viteve 1992-2004. Ku punim i nis për temën e masterit për Administrim Publik. Gjithashtu libri përfshin dhe mendimin e Kongresmenit Mark Kennedy, për të cilin punoja në atë kohë në Washington DC.

Ky libër përqendrohet në diskriminimin e punësimit dhe eksploron efektivitetin e ligjeve dhe politikave kundër diskriminimit të formuluara nga qeveria amerikane. Është e rëndësishme të kuptohet marrëdhënia midis ligjeve legjislative dhe diskriminimit të punësimit, në mënyrë që të studiohen ndryshimet dhe tendencat në praktikat e diskriminimit të punësimit. Çështja është shumë komplekse. Një nga arsyet kryesore është se është e vështirë të zbatohen të njëjtat ligje që ndalojnë diskriminimin në të gjitha rastet e diskriminimit, për shkak të larmisë së interpretimit të ligjeve nga Gjykata Supreme.


Ekzistojnë disa forma të diskriminimit të punësimit. Në përgjithësi, diskriminimi i punësimit nënkupton çdo trajtim të kundërligjshëm ndaj një punonjësi në bazë të rracës, gjinisë, fesë, origjinës kombëtare, orientimit seksual, pagës së barabartë, paaftësisë dhe moshës.

Libri “Udhëtimi Ligjor i Diskriminimit në Punësim” analizon raste historike si dhe ndikimin e tyre në intepretimin e ligjeve përkatëse. Libri gjithashtu është gati në Amazon si botim, Kindle dhe eBook NY Elite Press.


Ndonjë karakteristik që ju veçon nga të tjerët?


Ermira Babamusta: Besoj kjo pyetje i takon t’i drejtohet atyre që më njohin dhe që kanë bashkë/punuar me mua. Dua të jem dhe të mbetem njeri i thjeshtë, dhe mbi të gjitha njeri. Mendoj se të gjithë jemi njësoj para Zotit me ato dhunti, aftësi që Zoti na ka dhuruar dhe me ato ngjyra që na karkterizojnë secilin prej nesh. ​/bonzo.info/


Source:

http://bonzo.info/dr-ermira-babamusta-rrefen-per-pervojen-ne-kongresin-amerikan-dhe-per-dy-librat-e-saj-te-rinj



For media inquiries,

 contact NY Elite Press

Sign up for news and updates

from Ermira Babamusta

Find more information about our online store & policies below

© 2020 NY ELITE PRESS

  • Black Facebook Icon
  • Black Instagram Icon
  • Amazon
0